Policët dhurojnë gjak, shpërfaqin edhe në këtë mënyrë humanitetin e tyre

Policët dhurojnë gjak, shpërfaqin edhe në këtë mënyrë humanitetin e tyre

Përveç që janë në shërbim të vendit dhe qytetarëve të saj, duke kryer punën e tyre të përditshme nën uniformën e policisë, duke qenë mbrojtës të rendit dhe ligjit, për të ofruar siguri për të gjithë, ata shpërfaqin gatishmërinë e tyre për t’i shërbyer qytetarëve edhe në forma tjera, duke përfshirë këtu edhe aksionet e dhurimit vullnetar të gjakut, për të shpëtuar jetë.

Madje shumë prej tyre, janë dhurues të shumëfishtë të gjakut, pasi nuk përtojnë asnjëherë t’i thonë po aksioneve të tilla. E, Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Gjilan sot është vizituar nga ekipi i Transfuzionit Kombëtar të Gjakut nga QKUK-ja Prishtinë.

Zëdhënsi Hashani ka thënë se një numër i konsiderueshëm i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, përfshirë eprorë të lartë të Komandës Rajonal dhe oficerë, gjithsej njëzet e pesë, mes tyre edhe disa oficere, pa hezitim i janë përgjigj thirrjes së mjekëve për të dhuruar gjak.

“Policia e Kosovës është garantuese e ruajtjes së rendit dhe ligjit. Gjithashtu Policia e Kosovës i përgjigjet të gjitha thirrjeve nga ana e qytetarëve tê saj dhe humaniteti është një ndër parimet bazê të Policisë së Kosovës”, ka thënë zëdhënësi Hashani.

KOMENTE