Nisin punimet për zgjerimin e rrugës Prishtinë – Veternik

Nisin punimet për zgjerimin e rrugës Prishtinë – Veternik

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, dhe ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, përuruan fillimin e punimeve për zgjerimin e rrugës Prishtinë – Veternik.

Ky segment rrugor do të jetë i pari në Kosovë me katër korsi në një drejtim, pra tetë korsi në të dy drejtimet. Zgjerimi i këtij segmenti do të bëhet në të dy anët me nga dy korsi të reja, me gjerësi prej 3.5 metrash për secilën korsi, me trotuare të ndriçuara dhe shteg të biçiklistëve.

Në fjalën e tij, kryeministri Mustafa u shpreh i kënaqur me investimet që po bëhen në Prishtinë, të cilat po mundësojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe qarkullimin më të mirë.

“Më vjen mirë që po hapet hyrja në Prishtinë, në kryeqytetin e Kosovës, sepse ne këtë e konsiderojmë investim për kryeqytetin. Është një hyrje, e cila do të jetë madhështore, jo vetëm në pamje, por edhe në pikëpamje të funksionimit sepse do të kemi dy rrugë me nga katër korsi, si dhe me gjithë infrastrukturën tjetër për këmbësorë dhe për biçiklistë. Edhe pjesa tjetër e ndërtimit të rrugës deri te udhëkryqi për Pallatin e Drejtësisë është një hap shumë i rëndësishëm sepse shënon edhe fillimin e ndërtimit të unazës për Prishtinën, e cila më vonë mund të lirojë qarkullimin e automjeteve për qytetin e Prishtinës dhe vazhdimin e unazës ashtu siç ka qenë e paraparë me projekt, prandaj unë i vlerësoj si investime shumë të rëndësishme jo vetëm sa i përket shumës, e cila sipas informatave të ministrit është rreth 9 milionë euro, por edhe sa i përket funksionalitetit dhe detyrimeve tona që i kemi për të krijuar kushte më të mira për qytetarët”, theksoi kryeministri Mustafa.

Ndërsa ministri Zharku ritheksoi se MI-ja, përveç këtij projekti, do të vazhdojë të investojë në realizimin e projekteve të tjera infrastrukturore në komunën e Prishtinës.

“Sot pata nderin që së bashku me Kryeministrin të përurojmë fillimin e punimeve në zgjerimin e rrugës në Veternik, hyrja e Prishtinës. Kjo do të jetë një rrugë me katër korsi, e cila do të ketë edhe shtegun e biçiklistëve, ndriçimin, si dhe trotuarin për këmbësorë. Është një investim prej 3 milionë eurosh. Përveç kësaj, e njoftova kryeministrin se me investimet e bëra në infrastrukturën rrugore të Prishtinës kemi përmirësuar trafikun për të gjithë qytetarët. Në fund të vitit 2015 kemi përfunduar anashkalimin që lidhet me autostradën “Ibrahim Rugova” dhe autostradën që vazhdon për Shkup. Në këtë vit kemi vazhduar me zgjerimin e rrugëve prej QMI-së deri në Veternik, si dhe me zgjerimin e rrugëve prej Prishtinës në drejtim të Fushë- Kosovës. Tani po vazhdojmë me projektin aktual, kurse në procedurë tenderimi është edhe zgjerimi i rrugës prej urës së Veternikut deri në kthesën që shkon te Pallati i Drejtësisë, ku do të kemi një rrethrrotullim. Po ashtu, jemi duke punuar edhe në riprojektimin e gjithë kyçjes apo urës së Veternikut. Përpos kësaj, në komunën e Prishtinës do të realizohen edhe disa projekte të tjera, si asfaltimi i rrugës Hajkobillë – Zajçec, Stallovë deri në Marevc të ri, si dhe disa projekte te tjera. Investimet e përgjithshme në komunën e Prishtinës për sivjet do të jenë afër 9 milionë euro”, theksoi ministri Zharku.

Sipas kontratës së nënshkruar, ky projekt do të realizohet me dy llote. Lloti i parë do të jetë drejtimi Prishtinë – Veternik, krahu i majtë i rrugës, i cili sipas kontratës parashihet të përfundojë brenda 160 ditësh pune, me një gjatësi prej 1.5 kilometrash dhe me kosto prej 1,600,166.65 eurosh, ndërsa lloti i dytë do të jetë drejtimi Prishtinë – Veternik, krahu i djathtë i rrugës, me një gjatësi prej 1.5 kilometrash dhe me kosto prej 1,374,516.70 eurosh. Punimet e llotit të dytë parashihen të përfundojnë brenda 110 ditësh pune.

KOMENTE