Në Gjilan hapet Panairi Regjional Vjeshtor i Ndërmarrësisë

Në Gjilan hapet Panairi Regjional Vjeshtor i Ndërmarrësisë

Nën organizimin e Agjensionit për Zhvillim Rajonal-Lindje dhe Komunës së Gjilanit me mbështetje të zyrës së Bashkimit Evropian është hapur sot Panairi Regjional Vjeshtor i Ndërmarrësisë, me pjesëmarrje nga të gjitha komunat e regjionit të lindjes, në të cilin për dy ditë me radhë do të ekspozohen produkte të ndryshme të prodhimit dhe punës së bujqve, biznesit dhe ndërmarrësve që veprojnë në Gjilan.

Drejtoresha e RDA-së në Gjilan, Valbona Tahiri, me rastin e hapjes së panairit të ndërmarrsisë ka thënë se kjo është një mundësi shtesë për bizneset e vogla dhe të mesme që të rriten dhe krijojnë ura lidhëse mes vete për të nxitur shitjen e produkteve të prodhuara në Gjilan dhe Anamoravë.

Kurse, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka konfirmuar vazhdimin e mbështetjes për ndërmarrësinë dhe prodhimet vendore në përgjithësi.

“Çdo vjet panairi i korrikut dhe i shtatorit do të jenë pjesë e kalendarit të Komunës, sepse është një mbështetje për fermerët dhe është mbështetje për zhvillimin ekonomik lokal. Krenohemi qe brendi i prodhimeve të ndrërmarrjeve të vogla dhe të mesme të Gjilanit, janë gjithandej Kosovës dhe jashtë saj. Produktet e “Made in Kosova” sot gjenden në tregun e gjerë të Europës dhe më larg, e një pjesë e madhe e tyre është pikërisht nga Gjilani. Ky Panair tregon se qytetarët e këtij regjioni janë punëtorë të mëdhenjë sa i përket prodhimit produkteve të pemëve, përpunimit të ushqimit, të mishit dhe aktivitete të tjera biznesore që komuna e Gjilanit i ka”, tha mes tjerash kryetari Haziri.

Përfaqësuesi i zyrës së BE-së në Kosovë, Mia Pazel, ka thënë se ende mbetet një sfidë e madhe për bizneset në vend.

“Prodhimet e Kosovës ende nuk janë prezente sa duhet në tregun e shteteve fqinje. Kërkoj angazhimin e të gjitha instancave shtetrore për mbështetjen e bizneseve që eksportojnë prodhime jashtë vendit”, tha ai.

Ndërsa, Mrika Macula, kryeshefe ekzekutive e ARDA-s, ka përgëzuar për organizimin e kësaj ngjarjeje të grumbullimit të bizneseve për promovimin e tyre, mbështetje me grante të ndryshme për qindra sosh, trajnimin dhe organizime të tjera të rëndësishme për ngritjen dhe zhvillimin e biznesit në Kosovë.

Ndryshe në këtë Panair kanë marrë pjesë ndërmarrës nga të gjitha komunat e regjionit të lindjes, të cilët kanë mundësinë e krijimit të urave lidhëse të bashkëpunimit dhe promovimin e prodhimeve.

KOMENTE