MSh dhe UNICEF-i fillojnë projektin e vizitave mjekësore në shtëpi për nëna dhe fëmijë

MSh dhe UNICEF-i fillojnë projektin e vizitave mjekësore në shtëpi për nëna dhe fëmijë

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, i shoqëruar nga Shefi i Zyrës së UNICEF-it Brandão Có dhe zyrtarë të tjerë të kësaj organizate dhe të Ministrisë së Shëndetësisë vizituan sot Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan dhe shënuan fillimin e vizitave shtëpiake për nëna dhe fëmijë në këtë komunë.

Në këtë takim mori pjesë edhe Kryetari i Komunës së Lipjanit, z. Imri Ahmeti dhe zyrtarë shëndetësor të kësaj komune.

Ministri Rrahmani falënderoi Zyrën e UNICEF-it për mbështetje të programit të vizitave mjekësore në shtëpi, që janë në përputhje me prioritetet strategjike për të ofruar qasje për të gjithë dhe për të mbrojtur dhe përmirësuar gjendjen shëndetësore të nënës dhe fëmijës, përmirësuar mirëqenien e tyre e posaçërisht të grupeve më të varfra dhe vulnerabile.

Ai tha se ky projekt e ka rëndësinë e veçantë për shëndetësinë në Kosovë dhe si projekt do të shënohet në historinë e shëndetësisë, derisa theksoi se MSh-ja, gjatë këtij mandati i ka dhënë mbështetje të madhe Kujdesit Parësor Shëndetësor, përkatësisht konceptit të Mjekësisë Familjare si shtylla kryesore e sistemit shëndetësor.

Shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë tha se zhvillimi i këtij projekti është një shembull i partneritetet të mirë midis MSH-së, UNICEF-it dhe Komunave dhe se vizitat kanë për qëllim mbulimin me qasje në kujdes shëndetësor cilësor të gjitha kategoritë, përfshirë edhe grupet më të ndjeshme.

Kurse, Kryetari Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, tha se Komuna do të mbështes zhvillimin e këtij projekti për t’u arritur objektivat që lidhen me shëndetin e nënave dhe fëmijëve.

Projekti për Komuna e Lipjanit, do të realizohet nga Departamenti për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale dhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në bashkëpunim dhe koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me përkrahje të Zyrës së UNICEF-it në Kosovë.

Vizitat do të zbatohen nga profesionistët shëndetësor të qendrave të ndryshme të mjekësisë familjare në komunë të Lipjanit.

Ky projekt është duke u zhvilluar edhe në komuna të tjera të Kosovës dhe gjatë vitit 2015, janë realizuar 5910 vizita mjekësore në shtëpi, ndërsa më 2016, numri i tyre është rritur në 6745 vizita. Kurse, tre mujori i parë i vitit 2017, tregon për ngritje të numrit të vizitave për të njëjtën periudhë nga vizitat paraprake.

KOMENTE