Mbi premtimet dhe gënjeshtrat

Mbi premtimet dhe gënjeshtrat

Ka më shumë se një vit që në Kamenicë nuk është regjistruar asnjë lindje. Në repartin gjinekologjik nuk është kryer asnjë kontroll. Në shërbimin dentar nuk mund ta gërryesh apo mbushësh një dhëmb… Në Laborator nuk bëhen as analizat elementare.

Amir JAKUPI

Pse banorët e qendrës përgjatë gjithë verës terrorizohen prej zhurmave të kafiterive e restauranteve?

Pse lejohet degradimi dhe shkatërrimi i lumenjve dhe mjedisit?

Pse Koretini, Shipashnica, Muciverci, Rogana e fshatra të tjerë e vuajnë akoma mungesën e ujit të pijes, ndërsa janë investuar qindra mijëra euro për ndërtimin e ujësjellësve?

A merret kush me këto shqetësime… Një është e sigurt: Qeverisja në largim, dhe mirë që po shkon, në katër vjet nuk ka bërë asnjë përpjekje për zgjidhjen e këtyre problemeve.

Në garën e 22 tetorit, vetëm Shaip Surdulli rikandidon. Të gjithë kandidatët tjerë garojnë për herë të parë. Mbetet t’i shohim nëse në programet e tyre ofrohen zgjidhje këto probleme, por personalisht kam shumë pak shpresa.

E ato të tjerat: Si Zhvillimi i turizmit malor… Qindra vende të reja të punës… Zhvillimi ekonomik… Arsimi cilësor… Rritja e buxhetit, ulja e taksave e themelimi i Komunës së Hogoshtit… këto nuk i hanë më kamenicasit që jetojnë e që po ikin prej Kamenicës.

Këtu nuk ka luftë, por ka degradim e shkatërrim të arsimit, shëndetësi të sëmurë, ka uri, ka skamje, ka varfëri e mungesë shprese.

Mjafton ta bësh një shëtitje dyorëshe në fshatrat e Malësisë së Kamenicës, i sheh bosh, si varre të hapura. Të harruara dhe të braktisura, jo vetëm nga Komuna e Qeveria…E një shëtitje në mbrëmje rrugëve te qytetit, e ndjehesh se je në një vend si pas një kolere.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE