Libër i veçantë për publicistikën e Selatin Novosellës

Libër i veçantë për publicistikën e Selatin Novosellës

Një libër krejt i veçantë është libri “Selatin Novosella – Kronisti i malbrezave” i autorit Mehmetali Rexhepi. Libri është bërë me vështrimet e mëparshme të autorit, të shkruara e të publikuara në medie për disa nga librat e botuara të publicistit Selatin Novosella. Z. Novosella është jetëshkruesi – biografi i simbolit të rezistencës kombëtare, Adem Demaçi dhe njëri nga jetëshkruesit – biografët e rrallë dhe më të suksesshëm në publicistikën shqiptare.

Të shkruash për Adem Demaçin, për Rexhep Malën e për Metush Krasniqin një artikull, shumë artikuj, një libër, shumë libra, është përgjegjësi dhe privilegj, njëkohësisht. Jeta e Demaçit si student, si gazetar e shkrimtar, si veprimtar ilegal dhe i burgosur politik, të shkruash për gjyqet e qëndresën e tij të paepur, për angazhimin e tij për çlirimin e lirinë e Kosovës nuk mund të përmblidhet as me një e as me shumë artikuj gazetaresk, as me një e as me shumë libra jetëshkrues. Por, Selatin Novosella ndërmori një detyrë të rëndë dhe fisnike për ta pasqyruar sa më mirë e sa më drejtë jetën 80-vjeçare dhe tërë veprimtarinë atdhetare, letrare, politike… të Adem Demaçit.

Si një vrojtues dhe një lexues i kujdesshëm i librave jetëshkrues të z. Novosella, autori i këtij libri, z. Mehmetali Rexhepi, shkroi vështrime kritike, duke i analizuar ato me përpikëri shkencore dhe me një nivel të lartë të shkrimit. Këto vështrime apo analiza shkencore autori Rexhepi i pëmblodhi dhe i botoi në këtë libër. Vështrimet kritike në libër zbërthejnë më mirë dhe më saktë librat jetëshkrues të z. Novosella për Adem Demaçin, si dhe për tribunët, heronjtë popullorë Rexhep Mala e Metush Krasniqi.

Libri fillon me një parathënie dhe me një jetëshkrim për Selatin Novosellën, veprimtarin e dalluar të çështjes kombëtare, dy herë të burgosurin politik, bashkëveprimtarin e Adem Demaçit. Autori shqyrton edhe librat për demonstratat e 68-tës, për tri gjykimet e Demaçit dhe të bashkëveprimtarëve të tij, për publicistikën e Novosellës, për kujtimet e tij të botuara në librin në katër vëllime “Nga koha në kohë”.

Me këtë libër dhe me shkrimet e tij, autori Mehmetali Rexhepi shfaqet si njëri nga kritikët dhe analistët më të angazhuar në publicistikën tonë.

/Berat LUZHA/

KOMENTE