KPF miraton raportin e kryetarit, mungojnë në takim anëtarët e PDK-së e Vetëvendosjes

KPF miraton raportin e kryetarit, mungojnë në takim anëtarët e PDK-së e Vetëvendosjes

Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) ka miratuar të mërkurën raportin e kryetarit të Komunës për 6-mujorin e parë të këtij viti, raportin financiar janar-qershor, pastaj iniciativën për autorizimin e kryetarit të Komunës së Gjilanit, për bashkëpunim me komunën e Vitisë, në fushën e infrastrukturës rrugore me interes të përbashkët.

Po ashtu Komiteti në fjalë ka miratuar edhe programin trevjeçar për banim (2018-2020) si dhe tri propozim-vendime për dhënien e pronës së paluajtshme komunale për ndërtimin e një trafostacioni, për ndërtimin e Qendrës për fëmijët e braktisur dhe shtëpinë për moshuarit, si dhe për nevoja të groposjes së kafshëve të ngordhura.

KPF ka miratuar edhe tri propozim-vendime për ndryshimin e destinimit të një pjese të parcelave kadastrale, në kuadër të zonave “Qyteti i Gjilanit”, “Fidanishte” dhe “Livadhet e Arapit” në Gjilan.

Njëherësh, KPF ka miratuar edhe propozim vendimin për caktimin e lartësisë së kompensimit mujor për anëtarët e Komisionit Komunal të Aksionarëve në NLP “Tregu” SHA Gjilan dhe të gjitha këto pika, me shumicë votash, i ka rekomanduar për Kuvend Komunal, i cili do të mbajë seancën e radhës më 16 gusht.

Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka thënë se materialet janë dorëzuar ma kohë te anëtarët e KPF dhe ata kanë pasur mundësi që t`i shqyrtojnë dhe analizojnë të gjitha këto pika, por nëse ndokush ka nevojë për sqarime shtesë, drejtorët komunalë janë këtu për të dhënë përgjigje në çdo interesim.

Përndryshe, Avdyl Aliu (LDK), në emër të anëtarëve të KPF e ka uruar kryesuesen e re, Shpresa Kurteshi-Emini dhe i ka premtuar mbështetje në realizimin e agjendës së Kuvendit Komunal.

Opozita (PDK e Vetëvendosje) ka munguar në këtë takim të Komitetit për Politikë dhe Financa.

KOMENTE