Komunikimi dhe debati

Komunikimi dhe debati

Tek ne komunikimi nuk mund të zgjatë. Në të vërtetë komunikimi kur nisë, -saherë nisë, -që në nisje hasë në pengesë. Çdo bisedë që nisë, që prej dy e më shumë biseduesve, është e gjykuar të dështojë.

Në mes dy vetëve ka një zgjatje diçka për do llafe më shumë, kurse në grupë ka një përsëritje, kthim në fillim dhe shumëfishim të të folurit, me temë dhe titull të njëjtë. Dosido, komunikimi tek ne nuk mund të zgjatë.

Femi Halimi

Konsiderohet se në Europë komunikimin më të shkurtër e kemi ne, mandej vijnë boshnjakët pas nesh, me zgjatje pak më shumë në fatin e një bisede komunikuese të shëndoshë. Të tretët janë konsiderohet, irlandezët, kurse të katërtët janë serbët. Mandej vijnë bullgarët, grekët, rumunët, etj. Europa Jugore është përgjithësisht poshtë në këtë.

Gjatësia e komunikimit tregon kulturën dhe përbashkësinë, kurse shkurtësia tregon përçarjet dhe ndasitë. Komunikimi përgjatë të cilit dy palë në njejës o në shumës fyhen e nënçmohen nëmes vete është komunikim për të keq dhe me pasoja të rënda. Ky nuk është komunikim, anise ka formë komunikimi. Komunikimi është biseda dhe kontakti me qëllim komunikimi, nga i cili synohen për mirë marrëveshja dhe paqja.

Kështu përmes komunikimit të dy njerëzve, a të tyre me një grup, a të grupit nëmes vete, synohet kultura, përbashkësia, uniteti dhe paqa. Nëse vazhdimisht ka komunikim e me të ka vetëm përplasje, ky komunikim më mirë është mos të bëhet fare.

Pjesëtarë të një kombi a etnie kanë kohëzgjatje më të madhe se biseda nëmes dy folësve të kombeve të ndryshme. Po kështu është puna nëmes dy pjesëtarëve të komuniteteteve të ndryshme të besimit. E treta, është përkatësia kulturore nëmes folësve. Në të tri rastet komunikimi nëmes të ndryshmëve zgjatë më pak se nëmes të njëjtëve.

Komunikimi mendohet paraprakisht të jetë i shëndoshë dhe në paqë, me kulturë afërsie dhe mirëkuptimi. Një bisedë në të vërtetë nëmes të kundërtëve mund të zgjatë një orë e më shumë, siç kemi rastet në tv –të me debatet, por po shohim me vite se kjo bisedë nëmes folësve është debat dhe përçarje. Vetë debati nga frëngishtja ka domethënien e përlarjes dhe përçarjes!

Një bisedë është mirë të zgjasë sa më shumë dhe të jetë cilësore. Ky është kushti për t’u konsideruar një bashkëbisedë njëmend bisedë dhe me këtë të konsiderohet komunikim. Biseda nëmes dy vetave o ndërmjet një grupi të bërë grup nga udhëheqësi i një emisioni, matet me cilësinë dhe jocilësinë e bisedës.

Biseda ka rëndësinë e vet të trefishtë kur jepet përmes mediumit në publik dhe kur indirekt inkuadron në bisedë të gjithë njerëzit që e përcjellin! Zakonisht bisedat për opinion përmes tv –ve tek ne kalojnë në ekstrem dhe mezi pritet të kalojë koha e bisedës së tillë nga bashkëbiseduesit por edhe nga udhëheqësi i emisionit, -kurse njertëzit që përcjellin një bisedë të tillë përmes tv –ve më herët o më vonë e ndërprejnë përcjelljen dhe ndërrojnë kanalin! Kjo, -përshkak se këto biseda kësisoji janë në të vërtetë përplasje e përçarje, me shumë pak cilësi të bisedës së nevojshme. Puna ka ardhë deri këtu, sa njerëzit tanë shumë më shumë e zgjasin komunikimin me të huajtë, e shumë më pak nëmes vete!

Shkaqet që tek ne nuk mund të zgjasë biseda e shëndoshë dhe njerëzore ndërmjet nesh bashkëkombas (!), janë tri llojesh!

Populli thotë se botën e mba marrja! Njeriu pa marre nuk është kurrë për dialog por për konflikt. I paarsimuari mandej shihet dhe kuptohet, por të arsimuarit që sillen mbrapshtë njësoj pa dallim, e bëjnë këtë për shkak të mungesës së marres.

Arsimi dhe edukimi mësojnë ata që shkojnë në shkollë se dituria dhe edukata shkojnë bashkë, të pandara, sepse vetëm kështu kanë vlerë, e kjo edukata është në të vërtetë marrja.

Njeriu i arsimuar dhe i edukuar ka marre dhe nga marrja përmbahet. Nuk mund të ketë të edukuar e pa marre. Mund të jetë një i arsimuar fort por nëse nuk ka marre, shkon rrugëve pa marre dhe prej tij ka veçse dëme dhe rreziqe. Në të vërtetë, edhe armiqt kërkojnë të tillë, ku nuk u pengon arsimimi i tyre nëse janë të pa marre, sepse të pa marre çka janë, shkojnë kundër kombit, sepse nuk mërziten për asgjë.

Një njeri mund të mos ketë shkollimin por mund të jetë shumë i edukuar dhe i sjellshëm. Ka një traditë familjare që ndërton karakterin e njeriut dhe një përpjekje individuale për edukatë, ku familja është shkollë dhe edukim.

Është interesant se në këso familje, ku dalin të edukuar dhe njerëz, edukimi dhe maturia kultivohen me shekuj dhe kanë traditë. Në këso raste shkolla ka kuptim të njejtë me edukatën krahas mësimit, –masën e maturisë dhe përgjegjësisë për sjelljet, përderisa në shkollë tani i kushtohet rëndësi arsimit kurse edukata shkon sipas mundësisë dhe kalon në vullnet të mësimdhënësve.

Puna! Kush punon nuk bën keq dhe me këtë, një që punon, ka edukatë dhe maturi. Gjithë mungesa e vullnetit për komunikim vjen nga papunësia. Në të vërtetë debatuesit medialë janë me punë, kanë paga mijëra euro mujore, kanë shtesa e honorare, kanë biznese private, sa më i vogli është milioner tek ne tani. Çështja është në fillim, se të tillët nuk punojnë asgjë prej gjëje dhe sillen kot, e për këtë nuk u shkon biseda, por Mbibibiseda.

Mbibiseda, e treta, doli nga mendjemëdhenjtë bjerrakohës, të veshur me pushtet pa kufi pas lufte, që uzurpuan pushtetin, e privatizuan dhe e bënë çështje të familjes së tyre. Me të vërtetë, kam raste, që kur flas për këto punë me ndonjë nga këta të këtillët, u mbetet hatri, sepse e konsiderojnë se po u përzihem në familje. Kjo, -sepse kanë më bindjen se shteti është i tyre, pronë private dhe familjare dhe përçudnohen në mua pse flas për shtetin! Në këso raste me mbibisedë ma tërheqin vërejtjen se po përzihem në punë të huaja!

-II-
Te ne biseda dhe komunikimi pra, hasin në pengesa nëmes nesh që në fillim, për shkaqe, – 1. arsimuese, -2. kulturore dhe -3. fetare.

1.Çështja arsimuese përmbledh arsimimin pa përmbajtje, pa fryte sa duhet dhe nëpër të, pa mësim për edukatën. Mëparë, në kohë të socializmit, në emërim dhe titullim të arsimit dhe institucionit arsimues shkonte cilësimi i edukatës e mëpas arsimit. “Procesi edukativo –arsimues” thuhej e shkruhej zyrtarisht e me ligj. Tani shënohet vetëm arsimi në tituj, kurse edukatën cilësuese e hoqën krejt! Për fat të keq arsimimi edhe më superiori pa edukim është një hiq dhe për më keq, një rrezik.

2. Çështja kulturore –edukuese dhe marrja! Edukata kështu, marrja dhe përmbajtja e maturia, janë pjesë e pandashme e arsimit dhe vetëm me edukim arsimi arrin në vend dhe jep fryte. Njeriun e mban dhe mbron marrja, -u mësua kjo gjithmonë nëpër oda në popull dhe pa marre nuk ka asgjë, fare. Thjeshtë me njeriun pa marre, nuk mund të bësh asgjë.

3. Çështja fetare është edhe më e prekshme, mu sepse është e paprekshme. Në kombin tonë kemi mënyrat muslimane dhe të krishterë të besimit. Kemi edhe nën ndarje nëmes vetë një mënyre të besimit. Thyerjet e rënda arsimuese dhe kulturore përplasen përfundimisht në logun e besimeve dhe bëjnë krahë të rënduar të njerëzve të kufizuar dhe të ndarë. Pa marrë parasysh një mënyrë besimi tek ne, me rëndësi për fat të keq është se dy mënyra të besimit të kundërtë, krijojnë edhe dy mendësi kombi dhe me këtë, nga një komb kemi dy nënkombe.

Është thënë sa për sy e faqe, e sepse duhet të thuhet, për çështje edukate më shumë, se mënyrat e besimit janë pasuri jona, që për do punë është pasuri kombi, por janë do punë tjera që këto dy mënyra besimi ndajnë përfundimisht kombin. Jo se duhet të kërkohet zgjidhja në këtë, sepse zgjidhje nuk ka në këtë, por që është e vërtetë se jemi të ndarë dhe të renduar njëri kundër tjetrit dhe kjo është e vërtetë.

Në të vërtetë, kjo ndarje, na u desh të përmendet tek mundësia e bisedës dhe komunikimit nëmes vete. Për gjithë këto tri e më shumë shkaqe, ne kemi dialogun dhe komunikimin më të shkurtë nga gjithë kombet tjerë në Europë.

Isha në një ndejë në një shoqëri, në një kafiteri. Ishin mbi tridhjetë…Ishin shumica me arsimim të lartë e superior, por kishte edhe të tjerë nga të gjitha nivelet.

Njëri përmendi nga besimi njeriun e parë. Tha:” Adami, njeriu i parë, nuk i përket historisë por besimit, sepse nuk ka asnjë burim historik a shënim të shkruar për këtë”…

Si tha një fjali kështu, u ngrit një dhe ia tërhoqi vërejtjen. I tha se nuk ishte “Adami” por “hazreti Ademi”! Mandej i tha se këtë fjalë –emër nuk e kishte mësuar në shkollë askund por e kishte dëgjuar nëmes njerëzve në familje, etj. Ky i pari ia ktheu, duke i kërkuar të tërhiqej nga kjo që tha, sepse tha se ishte kompetent për këtë temë dhe se kishte kryer fakultet e më shumë se fakultet! Një i tretë mandej ndërhyri dhe tha se -“ne jemi muslimanë”, e se një musliman duhet të thotë -“hazreti Ademi”, e se “Adam” i thonë të krishterët…

Kjo ra dhe u ngatërruan e nuk mund u drejtuan më, kurse tema me titullin që ishte në fillim, humbi, e me të edhe biseda dhe komunikimi. Në vend të komunikimit vazhdoi mosmarrëveshja me një përplasje, e në fund u bë një përçarje e plotë dhe biseda u prish. Nisën të çohen një nga një me arsyetime dhe të largohen.

Pas gjysmë ore, mbetën tre, të cilët nisën të arsyetojnë prishjen e ndejës shkaku i rakisë. Këta tre ishin paguesit e harxhimeve! Të tjerët të thirrur erdhën përmes komunikimit dhe shkuan pa komunikim, anise me do arsyetime të shpejta të rastit! Qe një shkak, një spjegim me dituri, me vetëm një fjali, një ndërprerje plotësuse pa asgjë të keqe, -që qe shkas për nisjen e ortekut të fjalës së përçarjes dhe që shpejt përfundoi me largimin nga ndeja! Fjala nuk ishte përçarëse në të vërtetë, por përçarje është shkollimi, edukimi, kultura dhe besimi në mënyra të ndryshme dhe veçse ky dallim në qasje bëri që biseda të shuhej dhe ndeja të prishej!

Pengesë për komunikim janë së fundit, ndarjet partiake. Ndarjet partiake janë goditja e fundit me nokaut klasik. Këto ndarje partiake pas lufte arritën një maksimum të së keqës dhe u ndalën! Partitë që në fillim nuk ishin përbrenda mendësisë shqiptare dhe këto partitë dhe liderët e tyre ishin vetëm mundësi e rirreshtimit vertikal në pushtet dhe në arritjen e mundësive për siguri page e tutje pasurim të secilit kandidat për vete, me ligj e më shumë pa ligj.

Tani kemi një qasje indiferente ndaj të gjitha partive nga shkaku se për gjithë këtë kohë njerëzit tanë që patën fat të ishin kandidatë të partive, përmes partive arritën qëllimet e tyre dhe me këtë përkatësia me zhurmë e ndarje nëmes partive humbi forcën! Paratë i bënë ata që i bënë përmes partive, shtëpitë po, mandej të tjerët uzinat, fermat, fabrikat. Muarën donacione, subvencione e lirime pa ligj në përvetësim sa dashtën dhe sa kishin qëllim.

Tanimë nuk u duhen partitë, përveçse sa për sy e faqe të mbarohen se mbrojnë partitë, shkaku i ruajtjes së asaj që arritën. Me një fjalë partitë u shuan që të gjitha tek ne dhe sjellja e kujdesshme dhe e matur e të gjithëve mbaroi. Në këtë, me këtë, nuk ka më përplasje nëmes biseduesve dhe ndarja partiake nuk përçan më.

Megjithkëtë, kishte një faktor politik ndarës dhe përçarës, që ishte fatal gjithë kohën dhe që përplaste njerëzit që në fillim të çdo bisede dhe nevoje për komunikim, e që tejkalonte njëjësinë kombëtare të përkatësisë. Fyerja e një lideri të partisë ishte publike dhe kjo edhe nga njerëzit tanë më të lartët në pushtet dhe në publik.

Fjalët përplasëse, -“tradhëtar, bashkëpunëtor i armikut, mashtrues, gënjeshtar, mospjesëmarrës fare i luftës, hajn, prishës i paqes, plaçkitës, prishës i lirisë”…shkatërruan të gjitha mundësitë e komunikimit dhe dialogut dhe sa pati nevojë për to nga ata që i përdorën rregullisht, dialogu u kthy në zerro dhe aty mbeti. Tani këto fjalë rënduese ndërmjet vete nuk kanë më as forcën as nevojën e përdorimit dhe kjo nuk është më prishëse e ndejës, bisedës e dialogut.

Mbetën sërish faktorë prishës të bidesës ndër ne, dialogut dhe komunikimit, faktorët arsimues, kulturorë dhe fetarë. Këta që bëjnë kështu, në të vërtetë nuk kanë fijën e brengës për asgjë, nuk ndjejnë gjë as për komb, as për atdhe, as për besim, as kanë fijën e mëshirës e njerëzisë, por me këto u treguan dinakë e manipulues me vlerat kombëtare e njerëzore dhe duke u mbajtur fort për figura të shquara të kombit, e duke promovuar veten, -asgjë tjetër.

Tek të tjerët përreth neve dhe më tutje këta faktorë nuk shfaqen fare në bisedë dhe për këtë biseda dhe komunikimi tek ta, tek kombet tjera, shkon më larg shumë se tek ne. Konsiderohet se tek skandinavët biseda në komunikim shkon më së largu, sepse ata edhe kur arrijnë përmes bisedës në kundërshti, kanë mekanizma të tejkalimit deri në pakufi e se dallime të brendshme sikur ne nu kanë asnjë, fare!

Për fund, interesant është të ceket se komunikimi ynë me të huajtë, -krejt diçka ndryshe, – ka maksimumin dhe me këtë jemi në vend të parë në Europë e mbase edhe në botë! Nuk ka shembull kund në botë sikur tek shqiptarët, ku të huajtë, ngado e çfarëdo që të jenë, mirëpriten dhe ndaj të gjithëve këtyre e atyre tanët kanë sjellje të mrekullueshme!!! Kjo është shumë e mirë, por nxjerr pyetjen menjëherë të radhës, -se përse tanët nuk komunikojnë nëmes vete kështu –sikur komunikojnë me gjithë të huajtë, -dhe me këtë do të ishim kombi më i kulturuar në botë!?

Si të përparojmë në tejkalimin e pengesave në komunikim, duke pasur ndër mendë gjithnjë të arriturit kombe më të parët në botë në komunikim ndërmjet vete?! Sigurisht se ka mundësi dhe shpresë dhe këto mekanizma janë të njohur dhe të mundshëm.

Kultura, sjellja me durim maturie e përgjegjësie në bisedë, heqja e hakmarrjeve, paragjykimeve dhe provokimeve, janë kushtet për komunikim. Pohimi dhe pranimi i vlerave janë ndër faktorët që mundësojnë zgjatjen e bisedës në dialog dhe të arritjes së komunikimit sa më të gjatë! Me të vërtetë njeriu duhet të ketë marre dhe të ndalet hë për hë për çdo rast që shkakton përplasje dhe ndërprerje të komunikimit e që bën që biseduesit të kalojnë në kundërshti e përçarje deri në armiqësi…

(Pjesë nga një artikull më i gjatë)

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE