Komiteti për Urbanizëm miraton raportin e punës së drejtorisë së linjës

Komiteti për Urbanizëm miraton raportin e punës së drejtorisë së linjës

Komiteti për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit ka miratuar të premten raportin e punës së drejtorisë së linjës për 6-mujorin e parë të këtij viti, ku nënvizohen të gjitha aktivitetet e kryera gjatë kësaj periudhe.

Fadil Sherifi, shef i Sektorit të Planifikimit në këtë drejtori ka thënë se gatishmëria e qytetareve për të legalizuar ndërtimet e reja, duke u pajisur me leje ndërtimore, ka qenë më e madhe se asnjëherë më parë.

Janë shqyrtuar, analizuar, reviduar dhe proceduar parcelime të trojeve, të infrastrukturës si dhe propozim zgjidhjet e hapësirave të ndryshme publike për 22 raste, ndërkaq që 52 të tjera janë në procedurë.

Përndryshe, gjatë kësaj periudhe, janë pranuar gjithsej 348 kërkesa të ndryshme për parcelim të truallit, kushte ndërtimi, leje ndërtimi, leje përdorimi, leje rrënimi, ankesa dhe 292 prej tyre janë shqyrtuar, kurse 56 të tjera janë në procedurë.

Janë realizuar të hyra të përgjithshme prej 451 mijë euro dhe vetëm nga lejet e ndërtimit janë 417.235 euro, kurse nga legalizimet – 5668 euro.

Gjatë kësaj periudhe ka pasur edhe aksione për rrënimin e objekteve, me ç`rast janë rrënuar 4 objekte, dy nga këto objekte të banimit kolektiv, një depo dhe një motel.

Gjithashtu ka vazhduar procesi i legalizimit për të gjitha ato objekte të cilat kanë qenë në procedurë dhe do të vazhdohet më tutje pas miratimi të ligjit Kuvend, meqë ka ndryshime, ka thënë Sherifi.

Sipas Sherifit, interesimi i qytetarëve është çdo ditë e më i madh. Gjate kësaj periudhe janë shqyrtuar dhe miratuar 22 kërkesa të cilat kanë qenë në proces, për 6794.64 m2, që shprehur në mjete financiare janë 5668 euro.

Në raport përmenden edhe objektivat me prioritet të Drejtorisë së Urbanizmit për periudhën e ardhshme.

Florina Zymberi (PDK) ka thënë se raporti është për t`u përshëndetur nëse merret parasysh fakti se drejtoria punon me staf të reduktuar. Sipas saj, numri i lëndëve të zgjidhura është i vogël, në krahasim me numrin e lëndëve që procedurë.

Edhe Arton Hoxha, kryesues i Komitetit, ka thënë se në raport do të duhej të nënvizohej mungesa e stafit, meqë dihet se një numër i zyrtarëve janë pezulluar përkohësisht nga puna, si pasojë e aktakuzës që ka ngritur prokuroria, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës, prandaj edhe ka ngecje në realizimin e lëndëve.

Fadil Sherifi (DUMM) ka thënë se është e vërtetë që mungesa e stafit reflekton në efikasitetin e punës, por ka sqaruar se kërkesat që ende nuk kanë marrë përgjigje, janë kryesisht të natyrës së lehtë.

Njëherësh, KPUMM ka përkrahur rekomandimet e Drejtorisë sa iu përket disa kërkesave të qytetarëve dhe iniciativave qytetare që kishin të bënin kryesisht me ndërrim të destinimit të parcelave në lagjet “Çezma e Pedigocit”, “Livadhet e Arapit” dhe “Dheu i Bardhë 2”, shumica prej të cilave janë refuzuar.

Florina Zymberi (PDK) ka abstenuar në shqyrtimin e kësaj pike, me arsyetim se materiali është dërguar me vonesë dhe nuk ka mundur t`i analizojë kërkesat, ndërkohë që Bajram Hasani (Nisma) e ka braktisur takimin pas kërkesës së tretë, duke kërkuar nga opozita (PDK e VV) që t`i bashkohen atij, me qëllim që të pamundësojnë mbajtjen e Komitetit, për mungesë të numrit të nevojshëm minimal të anëtarëve, por nuk është përkrahur.

Në të vërtetë, Hasani ka insistuar që kërkesa e Fatmir Dakut për ndërrim të destinimit të parcelës në zonën e quajtur “Livadhet e Arapit”, të cilën DUMM e ka refuzuar, të kthehet në rishqyrtim, por nuk është miratuar nga Komiteti.

 

KOMENTE