KMDLNj: Po përdoren standarde të dyfishta në fushën e të drejtave dhe lirive fetare!

KMDLNj: Po përdoren standarde të dyfishta në fushën e të drejtave dhe lirive fetare!

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) nëpërmjet një reagimi ka vlerësuar se në Kosovë janë duke u zbatuar standarde të dyfishta në fushën e lirive fetare. Ky reagim i KMDLNj-së ka ardhur pas debateve të fundit rreth ndërtimit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë.

“Nëse ka diçka që është në kundërshtim me ligjet e Kosovës janë organet kompetente që merren me këtë çështje siç janë marrë deri më sot. Sa i përket lokacionit ku do të ndërtohet xhamia, krahasuar me lokacionet ku janë kisha ortodokse dhe katedralja në Prishtinë, lokacioni për xhami është në shpërputhje me pozitën që e meriton dhe nuk do të jetë në gjendje t’i përmbushë nevojat e besimtarëve të besimit islam.

Ky peticion nuk duhet të përfillet sepse është në kundërshtim me të drejtat e njeriut dhe të drejtat fetare të një komuniteti fetar të cilit i shkelen në mënyrë flagrante këto të drejta.

Standardet e përcaktuara me ligj në fushën e të drejtave fetare, si të drejta të njeriut nuk mund të zbatohen me kritere të dyfishta duke diskriminuar një komunitet dhe duke favorizuar të tjerët.

Për fat të keq në Kosovë po ndodhë zbatimi i standardeve të dyfishta edhe në fushën e të drejtave dhe lirive fetare në kohën kur po flasim për universalitetin e të drejtave të njeriut si parakusht për një shoqëri demokratike”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.

KMDLNj është kundër peticionit i cili është ngritur për të kundërshtuar ndërtimin e kësaj xhamie. “Në lokacionin më të mirë të Prishtinës, pa asnjë debat publik u ndërtua Katedralja vetëm në saje të vendimit të një personi, Ibrahim Rugovës.

Nuk pati peticion kundër këtij vendimi ndonëse mijëra e mijëra nxënës të gjimnazit Eqrem Qabej u bënë refugjatë të brendshëm duke u zhvendosur nga një shkollë në tjetrën, deri sa përfunduan punimet për ndërtimin e shkollës në lagjen Lakrishtë që ishte vendi më i keq për ndërtimin e shkollës.

Në fshatin Llapushnik u ndërtua një kishë katolike gjigante, në një lokacion të paraparë për destimin tjetër dhe në shpërputhje të madhe me nevojat reale të komunitetit katolik të asaj ane.

Kjo i bie sikur të ndërtoni një shkollë për 1000 nxënës në kohën kur i keni vetëm 30 – 40 nxënës. Kështu është vepruar me Kishën Katolike të Lapushnikut dhe çdo kundërshtim është neutralizuar me arsyetimin se e kanë përkrahjen e ndërkombëtarëve”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

KMDLNj ka përkujtuar se edhe Patrikana e Pejës e devijon rrjedhën e lumit duke e ndërtuar një mur pa leje ndërtimi. “Manastiri i Deçanit, në mënyrë flagrante ua shkelur të drejtat e njeriut qytetarëve të kësaj komune, duke ua kufizuar lirinë e lëvizjes dhe duke e penguar qasjen e lirë në pronat e këtyre qytetarëve.

Kisha ortodokse e Millosheviqit po qëndron në hapësirat e Universitetit të Prishtinës, po rinovohet ilegalisht dhe askush nuk po nënshkruan peticion për rrënimin e saj”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.

Epoka e Re

KOMENTE