“KF Gjilani” në top-formë, synon daljen në Evropë

“KF Gjilani” në top-formë, synon daljen në Evropë

Pasi ka përmbyllur me sukses fazën përgatitore, Klubi I Futbollit Gjilani pret e gatshme edicionin e ri të garave në superligën e futbollit të Kosovës. Kryetrjneri Arbnor Morina është shprehur optimist e i matur në prag të këtij kampionati, ndërsa futbollistët e kësaj skuadre nuk fshehin synimin e tyre, titullin e kampionit ose kupën e Kosovës, për të siguruar daljen në Evropë.

Në Prag të Kampionatit të ri të ligës elite të futbollit të Kosovës, superligës, KF Gjilani ka përmbyllur fazën përgatitore, e gatshme dhe përgatitur maksimalisht, ka thënë trajneri Arbnor Morina. Sipas tij skuadra që drejton KF Gjilani, i ka realizuar në tërësi objektivat që ia ka parashtrua vetes gjatë kësaj faze përgatitore, derisa ka vlerësuar seriozitetin dhe gatishmërinë e lojtarëve gjatë kësaj faze përgatitore.

Kryetrajneri Morina ka folur edhe për strukturën e ekipit nga edicioni i kaluar me lojtarë të spikatur, të cilët kanë bartur barrën e ekipit, ndërsa ka vlerësuar prurjet e reja, përfshirë futbollistët me përvojë, Fisnik Papuqin, pastaj Karahodën si dhe disa futbollistë të cilët vlerësohen perspektiv, siç janë Sherifi, Zabërgja e Sadriu, ndërsa ka vënë në fokus edhe punën serioze që është bërë në kontinuitet, e cila ka thënë të ketë rezultuar me arritjen e kontratës së njërit nga lojtarët e rinj të kësaj skuadre në Gjermani.

Kryetrajneri Morina më tej ka shtuar se edhe gjatë këtij edicioni intenca e KF Gjilani do të jetë kualiteti i lojës dhe pjesa e epërme e tabelës, duke vlerësuar mbështetjen e tifo-grupit të kësaj skuadre “Skifterat”. Ai ka shtuar se cilësia në futbollin e Kosovës në përgjithësi çdo vit e më shumë ka ngritje cilësore, e cila sipas tij megjithatë është graduale, derisa ka nënvizuar se kampionati I ri do të jetë shumë më interesant dhe i paparashikueshëm deri në fund.

Ndërkaq kapiteni i KF Gjilani Ylber Kastrati, ka folur për synimet reale të skuadrës së tij, duke potencuar stablitetin e skuadrës në vazhdimësi, duke shtuar se sjellja e disa lojtarëve me eksperiencë si dhe përgatitja fizike e ekipit në tërësi, do të rezultojë me lojë cilësore për t’i kënaqur pritjet e tifozërisë së zjarrtë të kësaj skuadre.

Kastrati ka premtuar se këtë edicion “Tifozët e skuadrës “Skifterat”, mund të presin shpirt luftarak të lojtarëve, duke nënvizuar se synim parësorë është dalja në Evropë vitin e ardhshëm, qoftë si fitues të kupës, qoftë me kurorën e titullit të kampionit.

Në anën tjetër, në mesin e lojtarëve të cilët janë sjellë në skuadër, eksperienca e të cilëve vlerësohet e rëndësisë jetike për rezultatet e pretenduara të KF Gjilanit, është futbollisti Fisnik Papuqi, i cili është transferuar nga KF Besa e Pejës. Pikërisht kundër kësaj skuadre Papuqi do të debutoj me fanellën e skuadrës së re të dielën.

Ai veç tjerash ka thënë se është pritur mjaft mirë në klubin e ri, ndërsa ka vlerësuar lart kualitetin e përbërjes së re të ekipit. Sipas tij pretendimet e KF Gjilanit do të jenë titulli ose kupa e Kosovës, të cilat do të dërgojnë me automatizëm këtë skuadër në fazën preliminare të garave evropiane, qoftë Ligës së kampionëve apo në garat e Evropa Ligës.

Ndeshjen e parë debutuese KF Gjilani e zhvillon të dielën para tifozëve të saj kundër KF Besa nga Peja. Në taborrin e kësaj skuadre para ndeshjes mbretëron atmosferë optimiste, ndërsa pritjet e lojtarëve dhe shtabit teknik janë inkasimi i tri pikëve të para, drejt rrugëtimit të gjatë deri në fund të kampionatit.

Sipas kalendarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, edhe ndeshja Gjilani – Besa, e cila zhvillohet në stadiumin e qytetit, do të filloj në ora 17.00.

KOMENTE