KBN-ja ka ndërtuar ura të reja bashkëpunimi me komunat e Luginës së Preshevës

KBN-ja ka ndërtuar ura të reja bashkëpunimi me komunat e Luginës së Preshevës

Komiteti për Bashkëpunim Ndërkufitar (KBN) ka miratuar raportin e punës për 6-mujorin e parë të këtij viti, me ç`rast kryesuesi i kësaj trupe komunale, Kushtrim Kadriu ka nënvizuar disa prej aktiviteteve më të rëndësishme, të cilat janë zhvilluar në funksion të thellimit të bashkëpunimit me komunat ndërkufitare.

Ai ka përmendur debatin ndërmjet përfaqësuesve të komunave Gjilan e Bujanoc, ku janë formuar grupet punues për bashkëpunim në kulturë, sport e bujqësi, të cilat kanë marrë për detyrë hartimin e projekteve të përbashkëta.

Në prill, Komiteti për Bashkëpunim Ndërkufitar në Gjilan, ka mbajtur një takim me përfaqësues të institucioneve lokale nga Bujanoci, ku është biseduar për nevojën e shtrirjes së këtij bashkëpunimi në një rrafsh më të gjerë, duke përfshirë edhe komunat e banuara me shqiptarë përgjatë brezit kufitar në Maqedoni.

Kjo iniciativë është mirëpritur nga pjesëmarrësit, ndërkohë që janë diskutuar edhe çështje të tjera që ndërlidhen me aspekte të sigurisë, avancimin e mëtejmë të kulturës, bujqësisë, turizmit e të tjera.

Kushtrim Kadriu, kryesues i KBN, ka thënë se me përfaqësues të institucioneve shqiptare nga komuna e Bujanocit, janë trajtuar çështje të shumta që ndërlidhen me aspekte të përgjithshme të bashkëpunimit ndërkomunal.

“Vizitat e ndërsjella të zyrtarëve të komunës se Gjilanit dhe asaj të Bujanocit, janë shumë domethënëse për ngritjen e urave të reja të bashkëpunimit”, ka thënë Kadriu, duke nënvizuar veçmas rëndësinë e vizitës së kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në Preshevë e Bujanoc, ku është shoqëruar edhe nga kryesuesi i Komitetit për Bashkëpunim Ndërkufitar.

Në takimin me drejtuesit e komunave të Luginës së Preshevës është biseduar për pjesëmarrje të përbashkët në fondet evropiane, duke nënvizuar se bashkëpunimi është me interes të këtyre komunave e veçanërisht të qytetarëve të këtyre vendeve.
Kadriu ka thënë se nisma për bashkëpunim është mbështetur nga të gjithë në Luginë.

Për më tepër, Kadriu ka theksuar se me komunën e Bujanocit ka pasur rezultate konkrete të bashkëpunimi në lëmin e bujqësisë, me ç`rast atje është realizuar edhe një vizitë e drejtorit të Bujqësisë në Gjilan, Ramiz Ramadani, së bashku me kryesuesin e KBN si dhe koordinatorin e Zyrës për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, Flamur Junuzi.
Të dyja palët janë pajtuar që disa projekte bujqësore, të cilat zhvillohen në Gjilan, në bashkëpunim me USAID-in, të bartën edhe në Bujanoc, ka thënë Kadriu.

KOMENTE