(2LONLINE) - Në kroniken e zezë të krizës ka një eveniment që spikat dukshëm. Në SHBA falimentoi Banka 150-vjeçare “ Lehman Brothers” e cila u diskutua në të gjithë botën si një “kryelajm tronditës më i keq që vinte nga fronti i krizës financiare”. A rrezikoheshin kaq seriozisht Bankat në SHBA, Evrope dhe kudo? A rrezikonte që kjo ngjarje të kishte ndikim edhe në Kosovë? Në ato momente pothuajse nuk mund të bëheshin paralelizma. Shumë analistë vlerësuan se në vende si Kosova kjo krizë nuk pritej të ndihej në të njëjtën shkallë e intensitet si në SHBA.
Së pari, ekonomitë në zhvillim duke qenë më pak të integruara në tregjet financiare botërore dhe me ekspozim shumë të ulët në produktet financiare që ishin në qendër të krizës, fillimisht nuk u preken nga kriza tronditëse që preku vendet e zhvilluara. Thellimi i mëtejshëm i krizës në gjysmën e dytë të vitit 2008 dhe rritja e ndikimit të saj në sektorët reale të ekonomisë bënë që përmes kanaleve financiare dhe tregtare pasojat e krizës të përcilleshin edhe në vendet në zhvillim. Si rezultat, rritja ekonomike e këtyre vendeve u ngadalësua në 6.1 % në 3 vitet e fundit kundrejt 8.3 % që ishte më parë. Në vendet e zhvilluara, rritja mesatare e çmimeve të konsumit arriti 3.5 % ndërsa për vendet në zhvillim rezultoi 9.4 %.
Në përgjigje të kësaj situate të vështirë të krijuar gjatë këtyre viteve, autoritetet publike në mjaft vende ndërtuan planet e tyre të shpëtimit. Këto vende përgjithësisht përfshinin ndihmën financiare për bankat, ruajtjen e stimujve për të vazhduar kreditimin nga sektori bankar për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme si dhe garantimin e kursimeve te publikut në banka. Thellimi dhe zgjerimi i krizës në gjashtë mujorin e dytë të vitit ktheu në domosdoshmëri harmonizimin e veprimeve të tilla në nivel global si edhe fuqizimin e rolit të institucioneve financiare si FMN dhe Bankën Botërore.
Së dyti, Bankat mëma të bankave komerciale që veprojnë në vendin tonë , janë tërësisht banka evropiane, të cilat në këtë periudhë, me ndonjë përjashtim të natyrës jo të drejtpërdrejtë e sekondare, nuk dukeshin të implikuar në tregun financiar e bankar amerikan në krizë.
Në vendin tonë ndikimi i krizës ndërkombëtare u rrit për shkak të transformimit të saj në një krizë të ekonomisë reale me shtrirje globale. Fillimisht kriza financiare nuk pati një ndikim të drejtpërdrejtë të rëndësishëm në sistemin tonë financiar. Arsyet lidhen me mungesën e ekspozimit të sistemit financiar në përgjithësi dhe atij bankar në veçanti, në produkte dhe në institucione financiare të cilat ishin në qendër të krizës si dhe për shkak të ekspozimit të ulët ndaj huamarrjes në tregjet e huaja.
Megjithatë, në tremujorin e fundit të 2008 për shkak të efektit psikologjik që shkaktoi ashpërsimi i krizës në tregjet ndërkombëtare, publiku reagoi duke tërhequr një pjesë të depozitave të sistemit bankar. Pasojat e këtij reagimi ishin rritja e nevojave për likuidiitet si dhe rënia e ritmeve të kreditimit në sektorin bankar. Banka e Kosovës së bashku me bankat komerciale morën masa të menjëhershme për të normalizuar situatën e krijuar dhe rikthyer besimin e publikut tek bankat, duke injektuar likuiditet në treg në forma të ndryshme, si dhe duke rritur mundësinë e bankave për ta aksesuar atë. Këto veprime dhanë efekt pozitiv drejt uljes së nivelit dhe luhatshmërisë së normave të interesit ndërkombëtar në fund të vitit.
Me shndërrimin e krizës financiare në një krizë ekonomike me karakter global, ndikimi i saj u materializua në vendin tonë në formën e kufizimit të burimeve të financimit dhe në shtrenjtimin e fondeve të financimit si për nevojat e sistemit publik ashtu edhe për sektorin privat, tkurrjen e të hyrave valutore në formën e dërgesave të emigranteve dhe rënien e eksporteve, rritjen e presioneve për zhvlerësim mbi kursin e këmbimit të monedhës zyrtare ndaj valutave kryesore dhe ndikim negative mbi pritshmërinë për mirëqenien financiare të agjenteve ekonomike në të ardhmen.
Ecuria e këtyre efekteve në të ardhmen afatshkurtër do të varet nga aftësia e aktoreve ekonomike, publike dhe private për t’iu përshtatur këtyre kushteve nga aftësia e sistemit financiar për të ruajtur ritme të qëndrueshme rritjeje në procesin e ndërmjetësimit financiar si edhe nga zhvillimet e faktorëve të jashtëm të rrezikut.
Megjithatë, rezultati financiar i sektorit bankar në vend shënoi shifra pozitive edhe pse më të ulëta se në vitet e kaluar. Por ulja e rezultatit financiar, paqëndrueshmëria e depozitave dhe rënia e cilësisë së portofolit të kredisë, treguesit e likuiditetit dhe të kapitalizmit të veprimtarisë së sektorit bankar, vlerësohen në nivele të mira.
Së treti, sistemi bankar e financiar Evropian dhe roli tepër prudent i Bankës Qendrore Evropiane në politiken e saj monetare, duke shtuar këtu edhe faktin së bankat evropiane nuk kishin aplikuar shumë nga produktet ose shërbimet financiare amerikane në veprimtarinë e tyre, të çonin në përfundimin së në Evropë kriza pritej të kalonte më lehtë dhe më me pak pasoja.
Ndërkohë për ekonominë kosovare dy ishin faktorët që mendohej se do të ndikonin:
Ngadalësimi i rritjes së ekonomisë botërore, çmimi i naftës dhe lendeve të para, vështirësitë në tregjet ushqimore, reduktimi i kërkesës në tregjet evropiane etj, që pritet të ndodhnin në vitet e ardhshme , që nuk mundnin të kalonin pa efekte.
Meqenëse kjo është një krizë tipike krediti, vlerësohet së në tregun ndërkombëtarë do të vështirësohet mundësia e gjetjes lehtësisht të kredive të nevojshme si dhe pritet të rriten edhe përqindjet e interesit. Në këtë kuadër, një vend si Kosova që e mbështet një pjesë të rëndësishme të zhvillimit të saj në kreditë, mund të afektohet në disa vite në vazhdim nga këto kufizime.
Në përgjithësi, aftësia e sistemit financiar dhe veçanërisht e sektorit bankar për të vepruar në mënyrë të qëndrueshme dhe për t’u mbrojtur nga rreziqet e mësipërme, do të varet edhe nga shtrirja në kohë, madhësia dhe vlera sistemike që shfaq një zhvillim i caktuar, i pafavorshëm./2lonline/
( autori është magjistër i shkencave ekonomike)
Vërejtje: Rubrika Opinion është krijuar për të iu dhënë hapësirë qytetarëve që të shprehin mendimet, opinionet, komentet rreth çështjeve të ndryshme. Opinionet e qytetarëve nuk e pasqyrojnë qëndrimin editorial të redaksisë së www.2lonline.com, Ato gjithashtu nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme). Redaksia mbanë të drejtën, për të mos e botuar, për ti redaktuar, shkurtuar apo përshtatur tekstin.
Vërejtje!
Nuk lejohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit.
2LONLINE.com mbanë të drejtën e mospublikimit dhe fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Komentet e publikuara nuk pasqyrojnë pikëpamjet e Redaksisë 2LONLINE.com
