Gripi sezonal, mjekët këshillojnë vaksinën

Kamenicë – (2LONLINE) - Me nisjen e sezonit të gripit, mjekët këshillojnë popullatën të marrë vaksinën antigrip, që tashmë gjendet në farmacitë e qytetit. Mjekët e këtushëm rekomandojnë tani aplikimin e vaksinës antigrip, si periudha më e përshtatshme, sidomos moshat më të ndieshme si fëmijët deri në moshën 14-15 vjeç, moshat e rritura mbi 55 vjeç, të sëmurët kronikë me sëmundje pulmonare, kardiovaskulare, etj.

Sipas Dr. Riza Hoda, Specialist i Mjekësisë Familjarë pran QKMF në Kamenicë, ka  thënë se sipas rekomandimeve të Survejancës së Gripit (EuroFLU), sezoni i virozës së gripit fillon në muajin tetor dhe zgjat deri në Maj të viti të ardhshëm.

Sipas statistikave më të rrezikuarit për tu prekur nga virozat e stinës janë fëmijët nën moshën 5 vjeç. Me infeksione respiratore janë regjistruar raste të shumta të kësaj grupmoshe brenda një jave.

Dr. Riza Hoda tregon se, po me të njëjtën virozë brenda javës janë paraqitur raste të shumta që kanë prekur grupmoshat mbi 5-vjeç. “Edhe në rastet e prekura nga diarreja me të rrezikuarit janë fëmijët e moshës nënë 5-vjeç.

Kjo grupmoshë shënon një numër më të avancuar, ndërsa grupmosha mbi 5 vjeç kap një shifër më të ulët”, thotë ai duke shtuar se, të ftohurit dhe alergjia shpesh shoqërohen nga të njëjtat simptoma, në dukje, ato janë sëmundje shumë të ndryshme dhe se shumë persona mund të shfaqin gjendje gripale apo të ftohuri në pranverë dhe në vjeshtë dhe se shpesh herë mendojnë se kjo situatë ka të bëjë me ftohje stinore apo alergji sezonale.

“Nëse ju keni prirje për të kaluar gjendje të vazhdueshme “të ftohuri” të cilat shfaqen menjëherë pa shenja paraprake dhe zhvillohen në të njëjtën kohë të vitit, kjo do të thotë se ju po kaloni një periudhë alergjie sezonale. Edhe nëse këto simptoma shfaqen si të njëjta me ato gripale, ato dallojnë nga njëra-tjetra për nga shpeshtësia, shfaqja, zgjatja në kohë e simptomave apo sëmundjes, etj”, ka bërë të ditur Hoda duke theksuar se shkaktarët e këtyre sëmundjeve janë të ndryshëm dhe se gjendja e të ftohurit shkaktohet nga viruset, po ashtu edhe gripi.

Ndërsa alergjitë janë përgjigje të sistemin imunitar të shkaktuara nga alergjenët, të cilat janë substanca të panjohura për organizmin. Dhe nëse ju jeni alergjikë ndaj diçkaje siç është poleni, pluhuri apo substanca të tjera, atëherë trupi juaj do të reagojë ndaj tyre. Viruset që shkaktojnë gripin përhapen në ajër nga i sëmuri dhe janë ngjitëse nga personi i sëmurë tek të tjerët apo ambienti përreth.

Por më alergjinë nuk ndodh kështu. Ju nuk mund të bëheni alergjikë ndaj diçkaje vetëm nëse personi afër jush është i tillë. Alergjia është gjenetike dhe individuale. Ajo është përgjigje e sistemit imun ndaj alergjenëve. Simptomat e gripit dhe të ftohjes mund të shfaqen në çdo kohë dhe zakonisht zgjasin nga dy deri në katërmbëdhjetë ditë. Ndryshe nga kjo situatë simptomat e alergjisë sezonale shfaqen në të njëjtat periudha çdo vit dhe mund të zgjasin për muaj të tërë.

Edhe për sa i përket trajtimit të dy sëmundjet Dr. Hoda shpjegon se kanë ndryshime. “Trajtimi i të ftohurit apo gripit mund të kërkojë regjim, përkujdesje dhe trajtim mjekësor, po ashtu edhe vaksinime në periudha epidemish. Po ashtu edhe alergjitë sezonale kanë nevojë për trajtim mjekësor, vaksina, ajër të pastër, nevoja për të mos ndryshuar shpesh ambient, etj.', ka thënë  Hoda.

Trajtimi i alergjisë kërkon trajtimin me antihistamina, duke përdorur spray (spërkatës) për hundët apo antialergjikë të tjerë. Për të ndikuar në parandalimin e sëmundjeve gripale dhe ftohjes, është e nevojshme të lani shpesh dhe plotësisht duart tuaja dhe fytyrën për të shmangur viruset. Po ashtu, shmangni dhe kontaktet me persona të sëmurë. Ndërsa për të parandaluar alergjinë duhet vetëm të shmangni kontaktin me zonat dhe territoret ku gjenden alergjenët, që ju mund t`i keni identifikuar si të tillë.

"Por gjithsesi, mënyra me e saktë për ta kuptuar nëse ju keni alergji apo gjendje gripale, mbetet për t`iu drejtuar mjekut, i cili përcakton diagnozën përkatëse, trajtimin e duhur dhe këshillat që duhen ndjekur për trajtimin e sëmundjes në çdo rast”, bënë të ditur Dr.Hoda. /2lonline/

Vërejtje!

Nuk lejohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit.

2LONLINE.com mbanë të drejtën e mospublikimit dhe fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.

Komentet e publikuara nuk pasqyrojnë pikëpamjet e Redaksisë 2LONLINE.com