Hidromorava me apel: Ujin e pijes mos e përdorin për qëllime të tjera dytësore

Hidromorava me apel: Ujin e pijes mos e përdorin për qëllime të tjera dytësore

Përfaqësues të KRU Hidromorava në Gjilan, kanë bërë të ditur se dëshirojnë t’i njoftojnë konsumatorët e tyre që për shkak të rritjes së konsumit të ujit si pasojë e rritjes së temperaturave dhe keqpërdorimit të ujit, situata e furnizimit me ujë është vështirësuar, sidomos në pikat e larta të qytetit.

“Dëshirojmë të iu njoftojmë se aktualisht kërkesa për ujë është rritë edhe më shumë, me ardhjen e bashkatdhetarëve dhe për këtë arsye KRU Hidromorava aktualisht është duke prodhuar ujë në sasi rekord në krahasim me periudhën e kaluar, vetëm e vetëm që furnizimi i konsumatorëve të bëhet sa më mirë’, ka thënë Mumin Morina, nga Departamenti Teknik i KRU “Hidromorava” Sh.A – Gjilan.

Sipas tij, me qëllim të mbajtjes në kontroll të situatës, Kompania ka angazhuar edhe ekipe inspektimi të cilët do të jenë në terren për identifikimin e rasteve të cilët abuzojnë me ujin e pijes, sidomos keqpërdorimet që bëhen përmes ujitjes se kopshteve, trotuareve, apo mbjellave të ndryshme në periferi te qytetit.

Morina ka thënë se rastet të cilat do të identifikohen, menjëherë do t’u dorëzohen gjykatave për procedim të mëtutjeshëm.

“Përmes këtij apeli, edhe një herë i lusim të gjithë konsumatorët që ujin e pijes mos ta përdorin për qëllime të tjera dytësore, por vetëm për nevoja higjienike dhe për pije”, ka thënë Morina.

KOMENTE