Gjilanasi Fatbardh Veseli me inovacion në “Majat e Ajsbergut” për IT!

Gjilanasi Fatbardh Veseli me inovacion në “Majat e Ajsbergut” për IT!

Shqiptarët në botë po dëshmojnë çdo ditë e më shumë rezultate mbresëlënëse në sfera të ndryshme. Njëri nga ta është edhe Fatbardh Veseli nga Gjilani, i cili pritet që së shpejti të marrë gradën akademike “Doktor Shkence” në “Goethe University” në Frankfurt të Gjermanisë.

Në studimin e fundit, i cili është publikua në revistën shkencore me impakt faktor të lartë “Personal and Ubiquitous Computing”, Fatbardh Veseli së bashku me tre kolegë ndërkombëtarë kanë dizajnuar një sistem inovativ teknologjik për qytetet e së ardhmes (Smart City). Punimi përshkruan një sistem i cili e avancon kërkimin shkencor në fushën e komunikimit ndërmjet makinave (mjeteve motorike), si dhe në mes të makinave në raport me rrethinën. Së bashku me rrjetin e gjeneratës së ardhshme 5G, i cili pritet të zhvillohet shumë shpejt, komunikimet e tilla mëtohet të bëhen të zakonshme.

Edhe pse një mundësi e tillë në shikim të parë mund të duket e largët dhe abstrakte, në fakt, sipas përshkrimit të autorëve, sistemi duket të jetë shumë real bazuar në kapacitetet operacionale të makinave moderne ekzistuese, të cilat përvec që komunikojnë me njëra – tjetrën duke shkëmbyer informata për gjendjen në trafik, kushtet klimatike, pengesat në rrugë, distancat mes tyre etj, ato mund të komunikojnë edhe me rrethin. Por kjo mbetet për një të ardhme inovative pasi një gjë e tillë determinon edhe pajisjen e rrugëve me sensorë të ndryshëm. Në ato raste makinat parashihet të ndihmojnë vozitësit që të gjejnë rrugën në mënyrë automatike, të gjejnë vendparkingjet e tyre si dhe të ndihmojnë në mënjanimin e rreziqeve.

Mirëpo sado një gjë e tillë “tingëllon” këndshëm, makinat autonome me komunikim elektronik përbëjnë edhe një rrezik potencial për privatësinë e ngasësve si dhe udhëtarëve tjerë. E veçanta e këtij punimi ndërlidhet pikërisht me dizajnimin e një sistemi i cili mundëson që vozitësit të mos tregojnë identitetin e plotë duke ruajtur privatësinë në rrugë, përkundër komunikimit të vazhdueshëm. Zgjidhja e propozuar nga autorët parasheh integrimin e teknologjive inovative të cilat njihen si kredenciale anonime e që janë disa lloje. Punimi vlerëson në mënyrë empirike disa prej këtyre teknologjive dhe në fund tregon se cila prej tyre është më e përshtatshme për skenarët e të ashtuquajturave “rrjete Ad-Hok të makinave”.

Fatbardh Veseli është i lindur në Gjilan. Ai ka mbaruar me sukses të plotë studimet në FSHMN – Dega e Shkencave Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës dhe paralelisht me to edhe Fakultetin Ekonomik. Më pas ka fituar një bursë për studime Master për Siguri Informacioni në Universitetin e Gjøvikut në Norvegji, për të vijuar më pas ato të doktoratës në “Goethe University” në Frankfurt të Gjermanisë. Gjatë kësaj periudhe ai ka mbaruar studime të ndryshme në fushën e sigurisë së informacionit, të cilat janë publikuar në revista dhe janë prezentuar nëpër konferenca shkencore nëpër vende të ndryshme në botë, dhe pritet që shumë shpejt të mbaroj doktoratën në këtë fushë.

Bashkëautorja e tij, Prof. Ass. Jetzabel Serna – Olvera, është kolege e tij në të njejtin institut, me fokus kryesor në Teknologji Mobile dhe Siguri Multilaterale. Dy bashkëautorët tjerët tjerë të tij, José María de Fuentes dhe Lorena González Manzano janë profesorë te asocuar në Laboratorin e Sigurisë Kompjuterike në Universitetin “Karlosi III” në kryeqytetin e Spanjës – Madrid.

Për më tepër, punimin mund ta shkarkoni nga linku më poshtë:

http://rdcu.be/utou

KOMENTE