Fuqizimi i grave në politikë

Fuqizimi i grave në politikë

Në një shoqëri si e jona, e cila akoma nuk ka gjetur ekuilibrin e duhur, të jesh model pozitiv e aq më tepër një grua e suksesshme në politikë apo në jetën publike, është sfidë aspak e lehtë.

Arta Dauti

Në një terren me shumë rrugë të panjohura, me një politikë konfliktuale, me një sistem ku meritokracia po zëvendësohet dita ditës nga servilokracia, është e vështirë për cilindo që përfaqëson një model ndryshe, pavarësisht gjinisë që ka, të vendos dilema për tu angazhuar në politikë.

Por megjithatë, kemi femra që sot janë pjesë e politikës, dhe të cilat japin kontributin e tyre në fushën e politikbërjes.

Si gjithçka në jetë edhe politika ka sfida e vështirësi, por ka dhe mundësi e shans për të kontribuar pozitivisht, për të punuar ndershmërisht për një të ardhme më të mirë,për të thënë që unë isha aty, nuk u fsheha, nuk u tremba nga të panjohurat, unë ngrita zërin dhe thashë të vërtetat, u përballa me burrat por dhe bashkëpunova me ta, bëra të gjitha përpjekjet qe e ardhmja e fëmijëve tanë të jetë më e mirë se e jona.

Në botë ka shumë emra zonjash që inspirojnë breza me radhë, mirëpo janë serioziteti,përkushtimi,dashuria për vendin e tyre, është arti i të bërit politikë që i bën të tillë këto emra.

Çdo grua e ka vullnetin, përgatitjen, kurajon që ashtu si rrit me përkushtim maksimal fëmijët e saj, me të njëjtin përkushtim është e aftë të kontribuojë në jetën politike.

Gratë nuk janë dhe nuk kanë sesi të jenë thjesht një numër, ato janë diçka më shumë apo më pak se gjysma e popullsisë . Roli kyç në formësimin e jetës i jep atyre një vend të veçantë në mesin e kësaj shoqërie.

Shoqëria tradicionale i sheh ato në rolin e nënës, mësueses, gruas. Por pjesëmarrja dhe kontributi i tyre, gjithmonë e më i njohur, gjithnjë e më I formalizuar, shtrihet në çdo pjesë të jetës.

Pjesëmarrja e grave në jetën publike e private të një vendi është sa një e drejt aq edhe domosdoshmëri. E drejt pasi është e shkruar me kushtetutën dhe ligjet e vendit .Domosdoshmëri pasi t’i mohosh apo të mos inkurajosh përafërsisht gjysmën e popullatës, të mos vendosë aktivisht në shërbim të saj dhe shoqërisë kapacitetin njerëzor ( mendor emocional) që ajo mbartë, përkthehet në një influencë ekonomike të pafalshme.

Historikisht shoqëria jonë i ka trajtuar femrat si anëtare të klasës së dytë dhe shumë pak mund ta mohojnë se femrat kanë qenë dhe janë, në shumë mënyra të trajtuara në atë shkallë ku drejtat e tyre privohen dhe abuzohet me to.

Stereotipet kundrejt femrës dhe pozitës saj në poste publike janë një realitet i hidhur që përcjellët nga frika e dështimit , frika e paragjykimeve,të cilat janë mekanizmat kryesorë që e ndalojnë kreativitetin e tyre.

Në kohën e zgjedhjeve shumë politikanë në fjalimet e tyre, na shpalosin rigjenerimin e politikës përmes shtimit të numrit të grave .

Kjo do të bëhej e mundur nëse vërtet ato gra pjesëmarrëse në ulëset e institucioneve publike ,do të kishin guximin të viheshin në shembim të zhvillimit, por nëse gratë janë aty vetëm sa për dekor dhe statistikë atëherë politika në vend vetëm sa pëson regres dhe vendi do të humbë pjesën më aktive.

Klima politike e cila mbretëron në vendin tonë ka shumë nevojë për përmirësimin dhe garantimin e grave në vendimmarrje, ku do të mund të ndërtohet një e ardhme, me një barazi ku pjesëmarrja e grave nuk shihet vetëm si numër.

Barazia në politikë vlen vetëm nëse nuk është thjeshtë për zhurmë.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE