Qemajl Mustafa: Dy fjalë për njeriun e veçantë

Qemajl Mustafa: Dy fjalë për njeriun e veçantë

DY FJALË PËR NJERIUN E VEÇANTË, bacën Rexhep BERISHA (babain e dëshmorit Nuhi Berisha)

Perkujtim

Sikur të gjithë ata që tashmë e kanë kaluar “Rubikonin” dhe kane ikur në amshim, sot paska ikur andej edhe një njeri me shumëçka i veçante, baca Rexhep Berisha, babai i dëshmorit tonë, Nuhi Berishes.

Baca Rexhë, ishte njeriu që të bënte për vete qysh në takimin e parë me të. Ishte prind për të gjithë ne, ishte mësues, ishte shok i mirë, por edhe nxënës i mirë sepse na dëgjonte me kureshtje e me durim përherë.

Qemajl Mustafa

Ishte fjalëpakë, i urtë dhe fort i matur në atë që e thoshte. Ai donte të na shihte të gjithëve të bashkuar dhe të gjithëve duke punue shumë për kombin e atdheun.

Baca Rexhë vinte thuaja në të gjitha tubimet tona me rastin e shënimit të ditëve të rëndësishme të kombit e të shtetit, përvjetorëve e akademive po ashtu. Ishte i veçantë edhe në një detaj nga këto tubime. Nuk aplaudonte asnjëherë. Dhe kur e pyesnim pse nuk po e bënte, përgjigjej “Kam me e be një ditë po hala nuk e keni ba punën për me rreh shuplakë për juve…”. Ishte unikat vërtetë!

Kur na e patën politizua zhvendosjen e përmendores sëRexhep Males e Nuhi Berishes, shkova në shtëpinë e tij për sqarim (ishte edhe Izmi Zeka me mua). U mundova me i sqarue se zhvendosja e përmendores ishte akt i menduar mirë dhe ishte në të mirë të qytetit e të respektit për dëshmorët. E dini çfarë me tha? Me tha atë qe nuk e kisha pritur vërtetë sepse nuk e kisha njohur thellësinë e urtësisë se tij. Me befasoi aq për të mirë sa mbeta pa fjale:

“Nuhiu nuk është i imi. Ai qysh moti është i juaji. Beni çfarë të doni me te. Lavdia, po edhe koria, do t’ju mbetet juve që ju kemi zgjedhë me e ba shtetin”.

Gati me kurrgjë nuk të kemi dalë hakut o njeri i mirë, i urtë e zemërgjerë. Nuk u ankove kurrë për asgjë që ishte personale. Kërkove nga ne pareshtur që ta ndihmojmë popullin e posaçërisht fukaranë.

Ishe dhe do të mbetesh UNIKAT baca Rexhë.

Të lumtë.

U prehsh ne paqen e amshueshme pranë Nuhi Berishës e Rexhep Malës.

KOMENTE