Duke e dëgjuar “Më fal” të Elitës 5

Duke e dëgjuar “Më fal” të Elitës 5

Si admirues i madh i grupit Elita 5 (Agron Idrizi, Mevaip Mustafi, Besim Ibraimi, Arif Ziberi, Nexhat Mujovi – Wirusi e Valon Gashi)*, në një nga shkuarjet e mija në Tetovë e mora “guximin” ta kërkoj studion e Wirus-it, Nexhat Wirus Mujovi.

Shkruan: Ridvan Bunjaku

Tetovarët me gatishmërinë e tyre tipike për të ndihmuar ma treguan saora adresën. Nexhati ishte me basistin, Agron Idrizin, duke punu diçka në studio. Dëgjohej një piano. Dolën të më takojnë me mirësjellje e mikpritje, por dukeshin të stresuar, sidomos Nexhati. “Jemi tu punu në albumin e ri”, thanë. Nuk iu mora kohë.

Albumin, “Mohikani i fundit” e bleva posa doli në CD. Aty, kënga “Më fal” është siç është incizuar në studio. Domethënë nuk e ka pjesën hyrëse ‘ushtarake’ që e ka në spot, dhe nuk e ka pjesën filmike. Në vijim është një observim i këngës.

Një harpë e përdorur nga pak si piano, me efekte, e hap qetë këngën, butë-butë. Futet orkestra me pad-a, stringje e disa fyej prapa duke dhënë atmosferë të hyrjes filmike.

Fillon strofa e parë vetëm me pada:

“Nëse fjalët s’kanë kuptim, më e mirë është heshtja”

Padat lozin me harmoni, duke i plotësuar akordet herë me oktavën e bazës, herë me ndonjë 6she

“Nëse loti është i rremë, njësoj është dhe buzëqeshja”

Futet kitara:

“Nëse fati asnjëherë nuk na ndan as s’na bashkon”
“Sot e përgjithmonë ka diçka që nuk ndryshon”

Një kitarë tjetër i plotëson “zbraztësitë” midis fjalëve

“Sot e përgjithmonë ka diçka që nuk ndryshon”
“Sot e përgjithmonë ka diçka që nuk ndryshon”

Futen disa basa të butë orkestralë (kontrabasa me gisht?) dhe një pad pak më i çelur. Muzika po avanson:

“Më fal, të lutem më fal,”
“Që nga vetja s’të ndaj,”
“Ti e din se jam pa faj”

Një horn (apo e ngjashme) e shton prezencën e orkestrës, dhe një kor meshkujsh, si rastësisht plotëson me “ho-o-o-ho-o-o”. Edhe harpa e fillimit vazhdon aty-këtu.

“Më fal, të lutem më fal,”
“Që nuk mundem të ndryshoj”
“Të jetoj e të t’harroj”

Një kitarë tjetër e bën kalimin e butë dhe paralajmërues në diçka më të avansuar. E tërë strofa e parë ishte hyrje, vetëm me instrumente harkore në sfond. Tani aktivizohen edhe ritmi e basi.

“A ka mbetur gjë në jetë”
Edhe piano vjen më në fund.
“Që s’e kam bërë për ty?”

Basi nuk është tipik i rokut. Është një bas më i butë.

“Apo ndoshta ndjen diçka”
“Që mua s’ma thua drejt në sy”
Basi e plotëson hapësirën bukur.
“Sikur lotët e gjithë botës
Të takohen në një vend”
Tash piano dhe kitara e mbush.
“Prapë nuk mund ta thonë”
“Dashuria sa dhemb”
(Kitara e plotëson.)
“Jo nuk mund ta thonë”
“Dashuria sa dhemb”
Ndalje, thuajse përfundim.
Këtu këngëtari e rrit intensitetin.
“Të lutem më fal,”

Nga a-mol-i (la minore) kalohet në A-dur (la maxhore) përkatësisht fis-mol (fis minore), një kalim tipik ky nga mol-i në dur. Ky model është i njohur në kompozime të formës a-mol, A-dur, a-mol. Kalimi në dur paralajmëron zhvillim më të fuqishëm, zakonisht deri në kulmim të këngës. Gjithsesi, për shkak të natyrës së këngës, melodia nuk rri në A-dur-in triumfal por mbetet në fis-molin melankolik.

Këtu Wirusi në sfond e fut një surlë që tonin e dytë të shkallës (në këtë rast i bie gis-in) e ka pak të ulur, një shkallë orientale kjo që i shton sentiment e mall këngës. Ndërsa në plan të parë dëgjohet një kor shpirtëror i femrave që sikur fton për mëshirë hyjnore.
Kënga tanimë është rok i plotë, me kitarë me distorzion që i mban bazat sigurt me kuinta. Edhe ngjyra e basit tanimë është e rokut.

Një kitarë solo (Valon Gashi, po supozoj) zhytet me potencë me mashkullorësi në këtë ambient tashmë krejt femëror. Pason një melodi solo që është në harmoni të plotë me korin e butë të vajzave. Ndërsa kitara shkon përpjetë duke mbaruar në oktavën e notës bazë, kori shkon teposhtë duke mbaruar në notën bazë. Dy vija melodike që përputhen plotësisht.

Një, apo disa violina unison, me një vijë të befasishme e rrisin dramaticitetin edhe më shumë dhe e modulojnë këngën një ton më lart, në gis-mol.

Derisa kitara kalon ngadalë nga toni i katërt i shkallës deri në të pestin, violinat luajnë vija klasike dramatike, dhe ritmi ndryshohet disi në marsh ushtarak. Vazhdon loja e kitarës potente me violinat që i mbështillen si ngjala.
Kitara përfundon në subdominantë shtatëshe.

Orkestra kthehet në bazë dhe në kapacitet të plotë hyn në finalen e këngës, duke moduluar prapë në bazën e fillimit (a-mol).

“Më fal, të lutem më fal,”

Mund ta dëgjojmë edhe korin e vajzave tani duke e mbështetur vijën.

“Që nga vetja s’të ndaj,”
“Ti e din se jam pa faj”
“Më fal, të lutem më fal,”
“Që nuk mundem të ndryshoj”
“Të jetoj e të t’harroj”

Orkestra ndalet plotësisht. Mbesin vetëm violina të buta që e mbajnë bazën dhe një kontrabas i butë.

“Më fal, të lutem më fal,”
“Që nuk mundem të ndryshoj”

…dhe pada e violina që e përmbyllin këngën.

“Të jetoj e të t’harroj”

*  https://sq.wikipedia.org/wiki/Elita_5

KOMENTE