Bujanoci, vend i pashpresë për rininë e shkolluar shqiptare!?

Bujanoci, vend i pashpresë për rininë e shkolluar shqiptare!?

Leoneta Abdyli, e diplomuar në Master për pikturë në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, është njëra nga ata të cilët investuan në shkollimin e tyre dhe dashur profesionin por fatkeqësisht nuk gjejnë hapësirë në qytetin e tyre të vogël në Bujanoc.

Ajo me vetiniciativë ka krijuar Atele-në në shtëpinë e saj në Bujanoc ku ajo e kalon shumicën e kohës duke pikturuar të cilat kishin mbuluar të gjitha muret me ngjyra forma e figura të ndryshme të punuara nga vet dora e saj me kujdes prej një artisteje të vërtet, shkruan Titulli.com.

Njëkohësisht, Leoneta i mëson edhe disa fëmijëve mjeshtërinë e pikturimit të cilët shprehin talentin dhe imagjinatën e tyre përmes brushave dhe ngjyrave me shumë kënaqësi.

Leoneta tregon se ajo dhe piktura janë shume të lidhura njëra me tjetrën mirëpo është mjaft e dëshpëruar se sa pak i kushtohet rëndësi pikturës në Bujanoc dhe artit në përgjithësi.

“Është për të ardhur keq për gjendjen e artistëve në Bujanoc dhe sa pak po transmetojmë art tek gjeneratat e reja” tha Abdyli gjatë një bisede për Titulli.com.

Edhe pas diplomimit për pikturë ajo është ende e pa punë edhe pse nuk ka numër të madh të piktorëve në Bujanoc.

“Të mos ketë vend as për të mbajtur praktik kjo është shumë shqetësuese e le më të shpresosh për ndonjë vend pune”, shprehet e dëshpëruar Leoneta.

Përkundër vështirësive, ajo është përpjekur për të organizuar edhe ekspozita për fëmijë siç ka qenë ajo e verës së kaluar nën organizimin e shtëpisë së kulturës për programin “Vera kulturore në Bujanoc”.

Lidhur me mbështetjen e aktiviteteve të saja, artistja thotë se që kanë qenë vetëm disa raste tepër të rralla sa i përket përkrahjes dhe mbështetjes që ajo ka gjetur në institucionet vendore.

“Përveç shtëpisë së kulturës edhe Këshillit Kombëtar Shqiptar disa herë edhe komuna e cila në ekspozitën “Takimi i Nëntorit” më ka përkrahur financiarisht, tjera mbështetje skam pasur”, theksoi Abdyli.

Leoneta Abdyli, në bisedën për Titulli.com që shpalosi planet dhe aktivitetet tha se pritshmëria si artiste konkretisht si piktore ka qenë shumë më e mëdha për ti dhënë sado pak frymë artistike qytetit të Bujanocit.

Bazuar në rrethanat e tanishme të zhvillimeve këtu Abdyli thotë se të ardhmen e saj nuk e sheh në këtë qytet pavarësisht dëshirës të flaktë për të kontribuar në profesionin e saj sepse gjithashtu piktura ka mjaft shpenzime gjë që është e pamundur ta praktikosh pa mbështetje institucionale.

”Pse të mos e ketë një galeri të vogël arti shtëpia e kulturës në Bujanoc ku të kemi mundësi të promovojmë punën tonë dhe të inspirojmë gjeneratat e reja. Arti kërkon hapësirë dhe mundësi” deklaroi Leoneta Abdyli.

Duke pasur parasysh vështirësitë e ushtrimit të profesionit të saj dhe punësimit nëpër institucione shkollore, ajo pa dashje planifikon të largohet nga vendlindja që sipas saj ka edhe shumë të rinj të tjerë që dëshirojnë të ndjekin rrugën e largimit.

BURIMI:Titulli.com

KOMENTE