Betim A. Osmani
(2LONLINE) – Popullsia në regjionin e Gjilanit është dalur të jetë 188.188 e cila përfaqëson 11% të popullsisë së përgjithshme të Republikës së Kosovës. Veçanërisht, popullimi është i fokusuar në Gjilan me afër 100.000 banorë, Viti me mbi 47.000 dhe Kamenicë rreth 36.000. Aktivitetet ekonomike, sipas një publikimi nga Drejtoria për Zhvillim Ekonomik, vetëm në Gjilan operojnë mbi 3,400 biznese aktive.
Ndërtimi i autostradës Prishtinë-Gjilan-Kosovë Lindore është projekt madhor. Ky do duhej të ishte projekt prioritar në nivel shtetëror shumë vite më herët pasi bashkon Kosovën Lindore me Kosovë e Shqipëri. Ndërtimi i autostradës siguron punësim në shkallë të gjerë gjatë ndërtimit dhe do të mundësoj punësim në programin e mirëmbajtjes si dhe do të përshpejtojë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Në Kosovën Lindore, numri i popullsisë arrin afër 100.000. Presheva me mbi 35.000 banorë, Bujanoci mbi 43.000 dhe Medvegja afër 10.000. Përveç Anamoravës dhe Kosovës Lindore, përfitues nga ky projekt do janë edhe Shqiptarët që jetojnë në Maqedoni, Likova me mbi 30.000 banorë dhe Kumanova me afër 100.000 banorë.
Pas gjithë këtyre viteve, pas-luftërave në Kosovë, Kosovë Lindore dhe Maqedoni, është interesant fakti i injorimit të afër 400.000 banorëve Shqiptarë në tri vende të ndara. Kjo është një injorim total i interesit kombëtar dhe zhvillimit ekonomik për këtë regjion. Gjendja e rrugëve aktuale është jo-adekuate për kohën e sotme dhe nuk është në trend me zhvillimet rajonale.
Anashkalimi nga Qeveria e Kosovës është i dukshëm. Ka munguar mbështetja edhe nga Bashkimi Evropian ne lidhje me këtë projekt ndër-kufitar. Pra, jo vetëm qeveria, por edhe autoritetet lokale nga ky regjion nuk kanë bërë asgjë në lidhje me ndërtimin e autostradës.
Vetëm gjatë vitit 2013, Ministria e Infrastrukturës me buxhet prej 310M, nuk ka kryer një studim fizibiliteti për realizimin e këtij projekti. As zyra e Kryeministrit me buxhet prej 11.3 M nuk është dëgjuar fare të kontribuojë në këtë drejtim.
Një tjetër dukuri negative në shoqërinë tonë është që gjithnjë thuhet që Kosova nuk ka mjete për këtë autostradë, po, pikërisht, është qeveria që duhet të sigurojë mënyrat e financimit.
Për fund, mbetet të shohim rezultatet në një të ardhme të afërt për premtimin publik nga Lutfi Haziri, Kryetari i ri i Gjilanit, i cili deklaroi se ndërtimit të autostradës Gjilan-Prishtinë do ti jep prioritet./2lonline/