A po largohet “Lugati” nga Tetova – Pollogu!

A po largohet “Lugati” nga Tetova – Pollogu!

A po largohet “Lugati” nga Tetova – Pollogu! Mjaftoi vetëm një vetëdijesim dhe hap këmbëngulës i një ministri të ekologjisë, që tetovarët më në fund të dalin nga “top lista” e qyteteve më të ndotura në Maqedoni, por edhe në Evropë.

Përderisa para dy vitesh, Tetova radhitej si vendi më i ndotur në Evropë, ajo tanimë nuk përflitet as në mediet lokale, e lere më në mediet shtetërore apo ato Evropiane.

Rezultati prej më se 1000 grimca toksike të quajtura PM 10, tanimë është e harruar, dhe për dallim nga viti 2015 kur ndotja arrinte deri në 200 herë më e lartë nga ajo e lejuara, tanimë ajo në ditët më të vështira (pas mbylljes së Jugohromit), nuk tejkalon shifrën prej 100 të grimcave kancerogjene për metër kub!

Edhe pse disa herë të punësuarit në Jugohrom pas mbylljes së tij, kanë tentuar që ta dëshmojnë se Jugohromi nuk është ndotësi më i madh, megjithatë shifrat flasin ndryshe.

Vetëm për muajin janar, shkurt, dhe muajt nëntor e dhjetor, periudha këto kur me urdhër të Ministrisë së Ekologjisë nuk kanë punuar, ndotja shihet se është ulur në 150, flasin kështu, shifrat të cilat janë publikuar nga vet ministria e Ekologjisë.

Pas mbylljes së metalurgjikut nga ana e Ministrisë së Ekologjisë deri në vënien e filtrave, në Tetovë filloi të ndjehet ndotja e ulët dhe bashkë me këtë edhe frymëmarrja e qytetarëve, filloi të jetë më e rehatshme.

Por çka bëhet për vazhdimin e kësaj lufte, me qëllim që ndotja të ulet në minimum? Pothuajse asgjë. Larja e rrugëve në këtë sezon është e pamundur, por është e pamundur kështu edhe ndalimi i djegies së mbeturinave, që janë ndër ndotësit më të mëdhenj pas metalurgjikut.

Ata shpesh nga mbledhësit e plastikeve ndizen dhe nuk është parë ndonjëherë që të vijnë zjarrfikësit apo inspektorati i ekologjisë i Ndërmarrjes të del në aksion për kapjen e keqbërësve.

Edhe pse ndotja vazhdon të jetë prezente në Maqedoni, por jo në Tetovë, megjithatë lufta kundër këtij fenomeni nuk ka përfunduar. Ministria e Ekologjsië për të dytën herë i jep ndalesë Kombinatit Jugohrom për të punuar në kohëzgjatje prej 90 ditësh, me pretendimin që brenda këtij afati të ndalesës ajo të kryej punën e vendosjes së filtrave, por punët në kombinat nuk janë duke ecur si duhet në aspektin e vënies së filtrave, ndërkohë një luftë tjetër e ashpër po bëhet prapa perdeve.

Kjo luftë, ka të bëj pikërisht me Ministrin e Ekologjisë Bashkim Ahmetin, kundër të cilit janë ngritur si disa kolegë të tij maqedonas, po ashtu edhe drejtoria e Jugohromit, të cilët po mundohen në të gjitha mënyrat që të zbusin atë dhe vendimi të anulohet, nëse jo tani, pas 90 ditësh.

Interesant është fakti se, askush për këtë fenomen nuk flet, së paku në përkrahje të tij si ministër i ri por i cili mori një vendim tejet domethënës për tetovarët, mbylljen e Jugohromit, kundër të cilit, mijëra qytetarë kanë dalë në rrugë për të protestuar.

Mbetet tani që komuna e Tetovës dhe disa organizata për mbrojtje të mjedisit, falë të cilave edhe erdhi deri tek vendimi i Ministrit për të mbyllur Jugohromin, të dalin me kërkesa që kjo luftë kundër ndotjes në Tetovë të vazhdoj edhe më tutje, si nga komuna e Tetovës po ashtu edhe nga ndërmarrja publike komunale, e cila duhet të luftojë më tepër në heqjen e deponisë nga hyrja e qytetit dhe kujdesin nga ndërmarrjeve që djegim mbetjet nga materialet e prodhimit, që përfundimisht Tetova të hiqet nga lista e qyteteve të ndotura.

Analizë nga AlbPortali.Com

KOMENTE